A Po Shkon Gjuha Shqipe Drejt Zhdukjes
Abstract
Gjuha është një mekanizëm i gjallë në proces të vazhdueshëm ndryshimi. Ajo lind, jeton, lëviz nga njëri vend në tjetrin, ndryshon me kalimin e kohës, shfaq karakter e personalitet. Disa gjuhë janë agresive, gllabërojnë e personalizojnë gjuhë të tjera, rezistojnë ndaj ndikimeve, u rezistojnë kohëve. Të tjera shfaqen të brishta, dobësohen e veniten deri në shuarje. Të gjitha lëvizjet dhe shndërrimet e një gjuhe tregojnë se ajo gjuhë është e gjallë. Nëse një gjuhë pushon së ndryshuari e së zhvilluari, ajo gjuhë është e vdekur. Përveç kësaj, në rast se të gjithë folësit e asaj gjuhe pushojnë së jetuari, atëherë ajo është gjuhë e zhdukur. Çdo gjuhë që është në një gjendje të vazhdueshme metamorfoze e zhvillimi dhe folësit e së cilës e përdorin atë si gjuhë të nënës, në të cilën edukohen, arsimohen e mendohen, konsiderohet gjuhë e gjallë dhe aktive.
Në vitin 2006 në Universitetin e Prishtinës[1] u paraqit një tezë Masteri e cila ka ngjallur diskutime e panik të madh midis atdhetarëve e mbrojtësve të gjuhës shqipe, pasi duke u nisur nga ky studim pohohet se gjuha shqipe ka vetëm pak vjet jetë dhe po shkon drejt zhdukjes. Por cili është realiteti dhe cilat janë argumentat që studiuesi H. Shabani sjell për të justifikuar formulimin e pohimeve me peshë kaq të rëndë për jetën e një kombi? A janë të vlefshme metodat e punës kërkimore që janë përdorur dhe a janë të besueshme burimet e shfrytëzuara për të kryer hulumtimin duke marrë në konsideratë numrin dhe cilësinë e formulimit të pyetjeve (gjithsej 13), numrin e të anketuarve (30 në vitin 1996 dhe 30 në vitin 2006). A është e saktë përzgjedhja shtresore e kampionëve të përzgjedhur (të gjithë të intervistuarit i përkasin një pakice minoritare shqiptare në Mal të Zi), duke përfshirë elementë nga të gjitha nivelet e interesuara shoqërore? E mbi të gjitha, sa të forta, sa të bazuara e sa të drejta përgjithësuese kanë këto argumenta për të qenë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësinë e të shpallin se gjuha shqipe në tërësinë e saj si fenomen social, psikologjik, filozofik e kombëtar shumëshekullor po shkon në zhdukje? Duke debatuar argumentat e paraqitura nga H. Shabani dhe duke paraqitur të tjerë lidhur me stadet e zhvillimit e të jetës së një gjuhe, ky artikull mbron tezën se gjuha shqipe jo vetëm nuk është në rrezik zhdukjeje, por është nga gjuhët më të gjalla e dinamike të botës moderne.[1] Shabani, H. “Dygjuhësia te Shqiptarët e Ulqinit”.
Full Text: PDF
University of Vlora